Konkursi për pranimin e studentëve në vitin akademik 2014/2015



NJOFTIM

Senati i Universitetit të Prishtinës ”Hasan Prishtina” në mbledhjen e mbajtur më 26.9.2014, mori vendim që të shpall konkurs plotësues për pranimin e studentëve në afatin e dytë për studimet themelore- bachelor në vitin akademik 2014/2015

Universiteti i Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, në afatin e dytë të konkursit për vitin akademik 2014-2015, do të regjistrojë 3192 studentë, prej të cilëve 1854 studentë të rregullt dhe 1338 studentë me korrespondencë.
Si shtesë e numrit si më sipër, Universiteti do të regjistrojë edhe 196 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, 32 studentë të rregullt nga diaspora, 14 studentë të rregullt shtetas të huaj, si dhe 408 studentë nga komunitetet jo-shumicë: boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe të tjerë. Në programet ku nuk janë paraparë kuota të veçanta për kandidatë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, kandidatët kanë të drejtë konkurrimi në kushte të njëjta me kandidatët nga Kosova.

Kandidatët të cilët i takojnë familjes së ngushtë e dëshmorit (fëmijë ose bashkëshort/e), do të kenë një bonus prej 5 pikësh në pikët e përgjithshme me rastin e aplikimit. Kandidatët me rastin e aplikimit duhet të dorëzojnë dëshmi që i takojnë kësaj kategorie (vërtetim të shoqatës nga qendra në Prishtinë).
Kandidatët që i takojnë kategorisë së familjes së dëshmorit dhe që nuk arrijnë të kalojnë pragun minimal prej 30% të provimit pranues dhe ata të cilët edhe përkundër bonusit prej 5 pikësh nuk arrijnë të kualifikohen në listën e kandidatëve të pranuar do të konsiderohen të refuzuar.
Mbi bazë të konsideratave humane, Universiteti i Prishtinës rezervon të drejtën e pranimit të kandidatëve me nevoja të veçanta.

Të drejtë pranimi në Universitetin e Prishtinës kanë të gjithë kandidatët, të cilët e kanë përfunduar me sukses shkollën e mesme në Kosovë apo jashtë Kosovës dhe e kanë diplomën për shkollimin e kryer.
Në Universitet mund të pranohen edhe studentët nga shtetet e tjera, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT-i.

Kandidatë jokosovarë konsiderohen ata që e kanë mbaruar shkollimin e mesëm jashtë Kosovës dhe me rastin e paraqitjes në konkurs, duhet t’i kenë të nostrifikuara dokumentet e shkollimit (Vendimi për njohje/nostrifikim të diplomave lëshohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë).
Kandidatët të cilët kanë të regjistruar një program studimi në të gjitha nivelet e studimit në kuadër të Universitetit të Prishtinës dhe që kanë statusin e studentit të rregullt nuk kanë të drejtë konkurrimi në program tjetër studimi me status të studentit të rregullt.
Secili kandidat mund të konkurrojë vetëm në një fakultet, departament apo drejtim

(Klikoni ketu per ta shikuar konkursin e plote ) .